Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia e Kosovës të rritet me 3.9 për qind gjatë vitit 2025, duke e renditur vendin me nivelin më të lartë të rritjes në rajon. Megjithatë, krahasuar me vitin paraprak, kjo shifër paraqet një rënie prej 0.7 pikë përqindjeje. Për vitin e ardhshëm, FMN-ja pret gjithashtu që të ketë një ulje të inflacionit në produktet bazë.
Në raportin e fundit “Global Outlook”, kjo organizatë ndërkombëtare vlerëson se rritja ekonomike e Kosovës do të arrijë në 3.9 për qind këtë vit dhe do të shkojë në 4.0 për qind në vitin 2026. Parashikimet janë pothuajse të ngjashme me ato të Bankës Botërore, e cila kishte projektuar një rritje pak më të ulët, me vetëm 0.1 pikë përqindjeje diferencë.
Pavarësisht ngadalësimit, Kosova pritet të ketë performancën më të mirë ekonomike në rajon. Sipas FMN-së, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do të shënojnë rënie identike prej 0.6 pikë përqindjeje, ndërsa Serbia do të ketë ulje prej 0.5 pikë. Mali i Zi do të mbetet në nivelin e vitit të kaluar, kurse Maqedonia e Veriut është e vetmja që parashikohet të ketë rritje – nga 2.8 për qind në 2024, në 3.4 për qind gjatë këtij viti.
FMN-ja vlerëson gjithashtu se gjatë vitit 2025 do të ketë rritje të inflacionit në çmimet e konsumit, por më pas pritet që kjo të ngadalësohet. Për Kosovën, shkalla e inflacionit këtë vit parashikohet në 3.5 për qind, krahasuar me 1.6 për qind sa ishte një vit më parë. Për vitin 2026, inflacioni pritet të bjerë në 2.7 për qind.
Në rajon, Serbia parashikohet të ketë normën më të lartë të inflacionit, me 9 për qind.
Në nivel global, FMN-ja parashikon rritje ekonomike prej 3.2 për qind për vitin 2025 dhe 3.1 për qind për vitin 2026. Ekonomitë në zhvillim në Azi pritet të kenë ritme më të shpejta rritjeje se ato evropiane, ndërsa për Eurozonën parashihet rritje nga 0.9 në 1.2 për qind vitin e ardhshëm, dhe 1.1 për qind në 2026. /Gjurmuesi/









