Buxheti i kryeqytetit do të jetë pjesë e Projektligjit për Buxhetin 2026, pasi Komisioni për Buxhet ka miratuar përfshirjen e tij në tabelat buxhetore.
Në mbledhjen e sotme, me 10 vota për dhe asnjë kundër apo abstenim, u miratua rekomandimi i Ministrisë së Financave për shtimin e tabelës buxhetore për Komunën e Prishtinës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se disa komuna nuk ishin përfshirë fillimisht në pjesën tabelore për shkak të vonesave në miratimin apo kompletimin e procedurave dhe dorëzimin e buxheteve në ministri.
“Sa i përket buxhetit të komunave, të cilat nuk janë të përfshira në pjesën tabelore, për arsye se janë vonuar, pra qoftë në miratim apo qoftë në kompletim të procedurave dhe dorëzim të buxhetit te Ministria e Financave, unë e kam sqaruar që nëse ato komuna arrijnë që në mes të dy leximeve, pra para ditës së nesërme dhe para datës sot që po shqyrtohen në komision të plotësojnë të gjitha kërkesat, atëherë ne si ministri do t’i sjellim këto tabela të përditësuara dhe do t’i propozojmë që të shkojnë përmes si amendament përmes komisionit. Ajo çfarë mund të them është deri më tani pra aktualisht, teksa po flasim, këtë proces e kanë përmbyllur komuna e Prishtinës dhe komuna e Shtimes. Prandaj, rekomandimi i Ministrisë së Financave është që të përfshihen si pjesë e tabelave të buxhetit të ligjit për ndarje buxhetore, meqenëse edhe ditën e djeshme pra e kam marrë buxhetin nga komuna e Prishtinës”, tha Murati.









