Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar për një rritje të konsiderueshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë dy muajve të fundit, duke përmendur menaxhimin efektiv të kapaciteteve dhe operimin njëkohësisht të tri njësive të Termocentralit Kosova A.
Sipas KEK, gjatë dhjetorit 2025 prodhimi i energjisë ka arritur 127 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që korrespondon me 46,539 MWh energji më shumë. Në janar 2026, prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, përkatësisht 63,003 MWh më shumë energji elektrike.
Në total, gjatë këtyre dy muajve korporata ka prodhuar rreth 110 mijë MWh më shumë energji krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve të mëparshme.
“KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, efikas dhe transparent, në funksion të interesit publik dhe forcimit të sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.







