Raporti më i ri ndërkombëtar mbi korrupsionin ka sjellë sinjale negative për Kosovën. Të dhënat e publikuara për vitin 2025 tregojnë se vendi ka humbur terren si në pikëzim ashtu edhe në renditje globale, duke ndërprerë përmirësimin gradual të viteve të fundit.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, Kosova ka grumbulluar 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të nga gjithsej 182 shtete të përfshira në matje. Në krahasim me vitin 2024, kjo paraqet rënie për një pikë dhe tri pozita në renditje.
Vlerësimi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) thekson se kjo rënie është tregues i një stagnimi në luftën kundër korrupsionit. Sipas këtij institucioni, situata lidhet drejtpërdrejt me krizën politike dhe parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila ndikoi në bllokimin e institucioneve dhe në moszbatimin e reformave kyçe antikorrupsion.
Raporti vë në pah se për herë të parë një qeveri me mandat të plotë nuk arriti të miratojë Strategjinë Kombëtare Kundër Korrupsionit. Po ashtu, viti 2025 përfundoi pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, duke dobësuar funksionimin e sistemit prokurorial dhe duke krijuar pasiguri institucionale.
Sipas KDI-së, lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë temë qendrore as në programet zgjedhore të dy proceseve zgjedhore të mbajtura gjatë vitit të kaluar.
“Gjatë vitit 2025 pati hetime dhe aktakuza ndaj disa zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, ku u ngrit aktakuzë ndaj Ministres së Tregtisë dhe Industrisë për dëmtim të buxhetit prej rreth 3 milionë eurosh. Megjithatë, përkundër këtyre zhvillimeve, Kosova ende nuk ka asnjë aktgjykim përfundimtar me burgim efektiv ndaj zyrtarëve të lartë për vepra korruptive, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë”, thuhet në njoftim.
Instituti Demokratik i Kosovës thekson gjithashtu se reformat në drejtësi gjatë vitit 2025 mbetën të bllokuara për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional.
“Edhe pse Ligji për Këshillin Prokurorial hyri në fuqi, zhvillimet e fundit në këtë institucion tregojnë rezistencë të brendshme ndaj reformave dhe vendime të kundërligjshme që kanë penguar zbatimin e tyre.
Raporti kritikon gjithashtu mungesën e transparencës në vendimmarrjen buxhetore, presionin ndaj mediave dhe shoqërisë civile, si dhe mbajtjen e një numri të madh të pozitave të larta nga ushtrues detyre. Në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit, u evidentuan stagnime dhe mangësi të vazhdueshme ligjore”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e dyta pas Malit të Zi, i cili ka 46 pikë. Pas Kosovës renditen Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Serbia. Megjithatë, rënia e këtij viti e vendos Kosovën në një fazë stagnimi, në një kohë kur i gjithë rajoni përballet me dobësim të institucioneve.
Në fund, KDI u ka bërë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë së re që të veprojnë pa vonesa, duke e vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të agjendës shtetërore. Kjo përfshin miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, finalizimin e reformave në drejtësi dhe sigurimin e ndëshkueshmërisë efektive për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.









