Protesta e opozitës në Shqipëri ka përfunduar me disa persona të lënduar dhe dëme materiale, si pasojë e përplasjeve dhe përdorimit të mjeteve të rrezikshme para Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, katër persona kanë pësuar lëndime. Sipas të dhënave, një qytetar dhe një fotograf janë lënduar në zonën e protestës, ndërsa dy efektivë të policisë janë plagosur nga dhuna dhe hedhja e molotovëve drejt kordonit policor dhe portave të Kryeministrisë.
Pas shpërndarjes së protestuesve, forcat e policisë kanë mbërritur në sheshin para Kryeministrisë, ku kanë vendosur shirita sigurie me mbishkrimin “skenë krimi”, duke e izoluar zonën.
Për disa orë me radhë, ekspertët përkatës kanë kryer fotografimin dhe filmimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet dhe flakët e molotovëve.
Në lidhje me incidentet, policia ka ndaluar një person nën dyshimin për përfshirje në aktet e dhunës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.







