Shumë njerëz mund t’i injorojnë sinjalet e trupit para gjumit, por një tingull i pazakontë që vjen nga rrahjet e zemrës mund të jetë paralajmërim serioz. Mjekët thonë se këto ndryshime, sidomos kur dëgjohen qartë në qetësinë e mbrëmjes, nuk duhen neglizhuar.
Ekspertët tërheqin vëmendjen se një simptomë e tillë mund të lidhet me probleme të ndryshme kardiake — nga valvulat e dëmtuara deri te sëmundja koronare e zemrës, e cila shpesh shkaktohet nga arteroskleroza, një proces i rrezikshëm dhe i heshtur që prek një pjesë të madhe të popullatës.
Valvulat e zemrës kanë rolin e kontrollimit të rrjedhës së gjakut dhe kur ato nuk funksionojnë si duhet, zemra detyrohet të punojë më shumë. Ndër problemet më të shpeshta përfshihen prolapsi, stenoza, regurgitimi dhe atrezia. Këto mund të jenë të lindura ose të shkaktuara gjatë jetës nga infeksione, dëmtime, kardiomiopati, reumatizëm i zemrës, endokardit infektiv apo sëmundja koronare.
Arteroskleroza ndodh kur në arterie grumbullohen pllaka yndyrore që ngadalë ngushtojnë hapësirën e tyre dhe kufizojnë qarkullimin. Nëse një prej tyre çahet, mund të shkaktojë bllokim të menjëhershëm, duke çuar në infarkt ose goditje në tru. Kur këto depozita prekin arteriet që ushqejnë zemrën, zhvillohet sëmundja koronare.
Por pse ky tingull dëgjohet sidomos para gjumit? Në momentet e qetësisë, kur njeriu shtrihet dhe ndryshon pozicion, disa persona me probleme valvulare mund të dëgjojnë më qartë rrahjet e zemrës. Sipas Dr. Michael Miller, profesor i mjekësisë kardiovaskulare në Universitetin e Maryland-it, ky fenomen mund të jetë shenjë e hershme e dëmtimit të valvulave dhe kërkon kontroll mjekësor sa më shpejt.
Megjithatë, jo çdo tingull i pazakontë e ka prejardhjen nga zemra. Edhe gjendje të tjera si tensioni i ulët, anemia, sheqeri i ulët, dehidratimi apo disa barna mund të krijojnë ndjesi të ngjashme në trup. Pavarësisht kësaj, identifikimi i shkakut mbetet i domosdoshëm për të përjashtuar rreziqet kardiake dhe për të marrë trajtim në kohë. /Gjurmuesi/









