Tetë zyrtarë policorë janë përballur me rekomandim për suspendim pas dy rasteve të ndara që po hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës. Bëhet fjalë për gjashtë zyrtarë në Gjakovë dhe dy në Gjilan, për të cilët janë iniciuar procedura hetimore në koordinim me prokuroritë përkatëse.
Sipas IKP-së, rasti i parë ka ndodhur më 19 shkurt në Gjakovë, ku një qytetar fillimisht ishte njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vend të ndaluar.
“Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje por i njëjti pas kontaktit dhe një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje”.
“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.”
“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është vërejtur se raportet e zyrtarëve policorë mbi bazën e të cilave është iniciuar rasti i kanosjes nuk përkojnë me atë që dëgjohet në incizim dhe dyshohet se edhe nuk janë të vërteta”.
Më tej, bëhet e ditur se hetuesit e IKP-së janë konsultuar me Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe se veprime të tjera hetimore do të ndërmerren ndaj gjashtë zyrtarëve policorë në procedurë të rregullt për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në interes të hetimit, Inspektorati ka rekomanduar suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës.
Në rastin e dytë, IKP ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Gjilan.
“Hetimet lidhur me këtë rast ndaj dy zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo Kallëzim i rremë”
“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.”







