Takimi konsultativ i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike për të diskutuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të reja ka përfunduar.
Pas takimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se sipas tij vendi nuk është dashur të arrijë deri në këtë pikë dhe se përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale e mban Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend.
“Diskutuam edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve të ardhshme. S’ka pasur asnjë arsye me ardh në këtë moment. Përgjegjësia kryesore i bie partisë më të madhe sepse ka mundur t’i japë vendit president. Zgjedhja e presidentit historikisht ka ndodhur me marrëveshje politike në të gjitha periudhat. Nuk kam vendosur asnjëherë vija të kuqe. Nuk kemi qenë refuzues. Qëllimi ka qenë që vendi të ketë institucione e të mos vazhdohet me këto bllokada”.
Hamza tha gjithashtu se PDK do të respektojë çdo vendim që mund të merret nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se disa çështje tashmë janë dërguar për shqyrtim në këtë institucion.
“Ne e shprehëm qëndrimin tonë. E dimë që janë dërguar disa shkresa në Kushtetuese, dhe nuk e dimë se si do t’i trajtojë ato. Por, çdo vendim që meret nga kjo gjykatë, do të respektohet nga PDK. Unë besoj që presidentja e ka analiuzuar mirë veprimet e veta, ka vepruar në përputhje me detyrimet e veta, megjithatë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pranueshëm për PDK”.
Ai u shpreh se data e zgjedhjeve do të caktohet nga presidentja në përputhje me afatet ligjore dhe kushtetuese.
“Cila do të jetë data e zgjedhjeve? Cila datë që të caktohet nga Presidentja e vendit në përputhje me afatet ligjore dhe kushtetuese”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk ka qenë e nevojshme dhe përbën një barrë për qytetarët.
“Ai tha se zgjedhjet janë totalisht të panevojshme, janë të lodhshme për qytetarët, janë të kushtueshme. Mirëpo, asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president përpos partisë fituese. Ne tash po flasim për datën e zgjedhjeve, dhe jam i bindur se do të kemi rezultat shumë më të mirë se ai i 28 dhjetorit. Koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të mendoj se si t’i bëjë 80 vota”, u shpreh ai.
Hamza shtoi se është ende herët për të folur rreth kandidatit të mundshëm për kryeministër nga PDK-ja apo për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor.







