Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare, me mbylljen e ditës së dytë të deklaratave përmbyllëse.
Në përfundim të seancës së sotme, u njoftua se gjatë ditës së nesërme pritet që mbrojtja e Hashim Thaçit të paraqesë fjalët e saj përfundimtare para trupit gjykues.
Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale vazhduan me argumentet e tyre, duke këmbëngulur se ish-krerët e UÇK-së kanë pasur një nivel më të lartë përgjegjësie sesa ai që, sipas tyre, pretendohet nga vetë të akuzuarit.
Në vazhdën e linjës së ndjekur edhe një ditë më parë nga kryeprokurorja Kimberly West, edhe sot prokurori Matthew Howling u përpoq të vërë në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarëve ndërkombëtarë, të cilët janë thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të mbështetur qëndrimet e saj.







