Shaqir Lutvija, i akuzuar për krime lufte, është dënuar me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile” gjatë periudhës 1998-1999.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shtator 2024, Lutvija, në rolin e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, së bashku me persona të tjerë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, arrestime, rrahje, maltretim dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë.
Vendimi i gjykatës është mirëpritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila riafirmoi angazhimin e saj për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, me qëllim të sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend. /Gjurmuesi/







