Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përmbyllur me sukses kursin “Medik Luftarak/Cobat Medik” për pjesëtarët e Regjimentit të Parë të Komandës së Forcave Tokësore, në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë të Komandës së Logjistikës.
Ky trajnim, i zhvilluar sipas standardeve të NATO-s, synon të pajisë personelin ushtarak me njohuri dhe shkathtësi mjekësore bazike dhe të avancuara, për të ofruar kujdes urgjent dhe efektiv në fushëbetejë.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë zëvendëskomandanti i Logjistikës, kolonel Mehmet Lladrovci, komandanti i Regjimentit të Mjekësisë, kolonel Xhevdet Tahiraj, dhe komandanti i Regjimentit të Parë të KFT-së, nënkolonel Arben Abdyli.
Kolonel Lladrovci theksoi se trajnime të tilla kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve operacionale, avancimin drejt anëtarësimit në NATO dhe forcimin e gatishmërisë për mbështetje në operacione paqësore kudo ku kërkohet.
Trajnimi “Medik Luftarak” rrit shanset e mbijetesës së të plagosurve përmes menaxhimit të traumave, kontrollit të gjakderdhjes, ruajtjes së rrugëve të frymëmarrjes, stabilizimit të gjendjes së pacientit dhe përgatitjes për evakuim mjekësor, duke siguruar ndërhyrje të koordinuar dhe të standardizuar sipas protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor. /Gjurmuesi/







