Ferrari ka hapur zyrtarisht një kapitull të ri për sezonin e ardhshëm të Formula 1, duke prezantuar njëvendëshen SF-26, me të cilën synon të rikthehet në garën për titull pas një viti zhgënjyes në 2025.
Makina e re u shfaq për herë të parë në pistën Fiorano rreth orës 11:30, në kushte moti me shi, ku u kryen edhe xhirot e para testuese. Privilegjin për ta drejtuar fillimisht SF-26 e pati Lewis Hamilton, i cili debutoi me makinën në këtë seancë fillestare.
Pas daljes në pistë, njëvendëshja iu nënshtrua menjëherë kontrolleve teknike nga ekipi i inxhinierëve të Scuderia Ferrari, për të analizuar të dhënat e mbledhura gjatë testimit.
SF-26 vjen me një dizajn që ruan identitetin klasik të Ferrarit, me ngjyrën ikonike të kuqe, të kombinuar me të bardhë në zonën e kabinës dhe të motorit. Elementet blu të sponsorit kryesor HP janë të dukshme në kapakun e motorit dhe në krahun e pasmë.
Pas një pauze të shkurtër, Hamilton e përmbylli programin e tij paradite, përpara se timonin e SF-26 t’ia dorëzonte Charles Leclerc, i cili vazhdoi testimet me xhirot e radhës në pistë.








