Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë fillon këtë të hënë etapa finale e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë fazë, prokuroria, mbrojtja dhe të pandehurit do të kenë mundësinë të paraqesin përfundimisht argumentet dhe parashtrimet e tyre para trupit gjykues.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat të pandehurit i mohojnë, duke i cilësuar si të pabazuara. Mbrojtja ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet e atribuara katër të akuzuarve nuk janë të provuara.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se të gjithë personat e interesuar për pjesëmarrje në seancat përmbyllëse janë njoftuar për pjesëmarrjen e tyre. Seancat janë caktuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt në objektin e DHSK-së në Hagë.
Për shkak të interesimit të lartë, vendet për publikun janë të kufizuara, dhe jo të gjithë kanë mundur të marrin konfirmim. Ata që nuk mund të jenë fizikisht, mund të ndjekin seancat online në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe, me një vonesë prej 45 minutash, përmes faqes zyrtare të DHSK-së.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjyqi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, pothuajse tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, duke tërhequr vëmendjen e gjerë të opinionit publik në Kosovë dhe jashtë saj.
Gjatë vitit të kaluar, janë mbajtur pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve, në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar “Drejtësi për Çlirimtarët”. Një protestë e ngjashme pritet të organizohet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.







