Autoritetet e shëndetësisë në Spanjë kanë dhënë detaje lidhur me ditën e parë të evakuimeve nga anija turistike, në të cilën ka shpërthyer hantavirusi.
Sipas autoriteteve në Spanjë deri më tash janë evakuuar me sukses 94 pasagjerë nga 19 kombësi.
Anija ekspedite, MV Hondius, kishte mbërritur më herët të dielën në mëngjes në ishullin spanjoll të Tenerife-s duke mbajtur 147 persona.
Pasagjerët u panë duke u transportuar me varka të vogla nga anija turistike e ankoruar në Portin e Granadillës në ishull.
Në një konferencë për media, të dielën, ministrja e Shëndetësisë e Spanjës, Mónica García, ka thënë se operacioni i riatdhesimit i menaxhuar me kujdes që përfshinte shumë vende, shkoi sipas planit.
Pas mbërritjes në ishull, pasagjerët e zbritur hipën në autobusët që prisnin, për t’u çuar në aeroport, prej nga ku ata u evakuuan në vendet e tyre të origjinës, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Që kur anija u nis nga Argjentina muajin e kaluar, vdekjet e tre personave janë lidhur me hantavirusin, një sëmundje e rrallë që zakonisht shkaktohet nga ekspozimi ndaj urinës ose jashtëqitjes së brejtësve të infektuar, ndërsa të tjerë janë evakuuar nga anija për trajtim mjekësor.
Zyrtarët lokalë thanë më parë se anija do të ankorohej në distancën “më të sigurt” nga skela, dhe pasagjerët do të silleshin në breg sipas kombësisë në anije të vogla me një kapacitet maksimal prej 10 personash, sipas operatorit turistik Oceanwide Expeditions.
Disa vende, përfshirë SHBA-në, Spanjën, Francën, Kanadanë, Irlandën dhe Holandën, përdorën avionë për të evakuuar shtetasit e tyre që ishin në anije.
Një zyrtar i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se 18 pasagjerët që po udhëtonin për në Shtetet e Bashkuara, përfshirë një shtetas britanik që banon atje, do të transportohen në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës, e cila është shtëpia e Njësisë Kombëtare të Karantinës, një strukturë e financuar nga qeveria federale. Asnjë nga pasagjerët që udhëtojnë për në SHBA nuk thuhet se ka simptoma.
Pasi u vlerësuan shkurtimisht në njësi, pasagjerët do të jenë në gjendje t’i nënshtrohen monitorimit në shtëpi gjatë 42 ditëve të ardhshme.














