Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një fjalim në Kongresin Amerikan në Washington D.C., ku ka theksuar nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe rolin strategjik të Ballkanit për stabilitetin dhe sigurinë evropiane.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ndau fotografi nga vizita dhe nënvizoi rëndësinë e rajonit: “Në fjalën time në Capitol Hill kërkova që Kosova të anëtarësohet në NATO. Siguria e Ballkanit është sot çështje kyçe e sigurisë evropiane.”
Ai gjithashtu ka theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është bërë një komponent i domosdoshëm i arkitekturës së sigurisë evropiane, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit gjeopolitike.







