Kosova po përballet me sfida të theksuara ekonomike gjatë vitit 2025, me tregues shqetësues që dalin nga raportet e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e tretë. Ndërsa disa sektorë ruajnë stabilitet të pjesshëm, treguesit kryesorë si papunësia, inflacioni dhe deficiti tregtar tregojnë zhvillime negative që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas ASK-së, numri i të regjistruarve si punëkërkues arriti në 69,751 në shtator 2025, duke shënuar një rritje prej mbi 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë tremujorit korrik–shtator, lista e të papunëve u zgjeroi me mbi 3,000 persona të rinj, duke reflektuar ngadalësimin e tregut të punës dhe mungesën e absorbcioneve në sektorin privat.
Inflacioni ka marrë gjithashtu një kthesë të theksuar. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit arriti në 4.7% në shtator 2025, nga vetëm 0.2% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Brenda tre muajve, inflacioni u rrit nga 4.3% në korrik në 4.7% në shtator, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke vështirësuar jetesën e përditshme. Për krahasim, mesatarja e inflacionit në Bashkimin Evropian mbeti dukshëm më e ulët, duke treguar presion të brendshëm mbi ekonominë kosovare.
Deficiti tregtar vazhdon të mbetet një problem struktural. Gjatë tremujorit të tretë të vitit, eksportet arritën në 245.8 milionë euro, ndërsa importet u shfaqën në 1.879 miliardë euro, duke krijuar një hendek mbi 1.63 miliardë euro. Vetëm në shtator, eksportet mujore ishin 85.8 milionë euro, ndërsa importet 606.2 milionë euro, duke krijuar një deficit mbi gjysmë miliardë euro. Këto të dhëna nënvizojnë varësinë e lartë të vendit nga mallrat e importuara dhe pamundësinë për të balancuar tregun.
Në terma të thjeshtë, për çdo 100 euro mallra të importuara, Kosova mbulon vetëm rreth 12–14 euro me eksportet e saj, duke ushqyer një deficit që vazhdon të zgjerohet muaj pas muaji gjatë 2025-ës. Kjo situatë kërkon politika të qarta ekonomike dhe ndërhyrje për të stabilizuar tregun e punës, për të kontrolluar inflacionin dhe për të ulur varësinë e vendit nga importet. /Gjurmuesi/









