Pas disa muajsh vonesë dhe mes debatit të ashpër politik, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të premten ligjin për buxhetin e vitit 2026 në vlerë rreth 4 miliardë euro, pavarësisht kundërshtimeve të partive opozitare.
Projektligji kaloi në lexim të dytë me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim, katër ditë pasi ishte miratuar në lexim të parë. Ligji tani do t’i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dekretim para hyrjes në fuqi.
Votimi u bë pasi Komisioni për buxhet, punë dhe transfere miratoi ndryshimet në ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se vërejtjet dhe kritikat e deputetëve do të adresohen gjatë rishikimit të buxhetit. “Megjithatë, buxheti i miratuar sot, në vlerë prej rreth 4 miliardë euro, parasheh 867 milionë euro për komunat; përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik; përmban ndryshimin e nevojshëm që mundëson dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para; si dhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, derisa të miratojmë Ligjin e ri për Tatimin në Pronë, në konsultim me komunat e vendit tonë”, shkroi Kurti në Facebook.
Sipas tij, buxheti parasheh gjithashtu rritje të mbështetjes për barnat esenciale, kulturën, sportin, ndërmarrësit në sektorin privat, bujqit dhe investime në infrastrukturën publike.
Gjatë seancës plenare, ministri i Financave, Hekuran Murati, e cilësoi këtë si një buxhet “të përkohshëm dhe emergjent”, duke paralajmëruar rishikim të tij. “Për këtë arsye, ne, si Qeveri, nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, tha Murati.
Partitë opozitare u ankuan se rekomandimet e tyre nuk u morën parasysh nga Komisioni dhe i tërhoqën amendamentet para votimit, duke votuar kundër. Deputetë opozitarë paraqitën amendamente edhe gjatë seancës, por pa mbështetje.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij do të votonte kundër. “Ne i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesim këtë buxhet që nuk e reflekton as përbërjen e qeverisë, nuk është dokument profesional, ka shumë defekte për 2026 por do jetë i dëmshëm edhe për vitet e ardhshme”, deklaroi ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se partia e saj nuk e mbështeti buxhetin pasi amendamentet e propozuara prej tyre nuk u morën parasysh.
Buxheti i vitit 2026 u miratua me disa muaj vonesë, pasi vendi ishte detyruar të zgjaste buxhetin e vitit të kaluar për shkak të krizës politike dhe institucionale.
Si do të shpërndahet buxheti?
Buxheti i përgjithshëm arrin në rreth 4 miliardë euro, prej të cilave mbi 3 miliardë euro janë ndarë për nivelin qendror, ndërsa 867 milionë euro për nivelin lokal.
Për investime kapitale janë planifikuar 998 milionë euro, 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 (931 milionë euro), por ato përbëjnë vetëm 25.2% të buxhetit total.
Sipas një analize të Institutit GAP, 81% e buxhetit për projekte kapitale në 2026 është dedikuar për projekte të nisura më herët, ndërsa projektet e reja janë të kufizuara dhe kryesisht të vogla. Shpërndarja e investimeve nga niveli qendror në komuna mbetet joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, megjithëse më e balancuar në aspektin partiak.
Subvencionet dhe transferet
Kategoria me rritjen më të madhe është ajo e subvencioneve dhe transfereve, me rritje prej 17.4%. Për këtë kategori janë ndarë mbi 1.3 miliardë euro, krahasuar me rreth 1.1 miliardë euro vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rritjes së disa pensioneve, mbështetjes për lehonat dhe asistencës sociale.
Pagat dhe shtesat për mbi 91 mijë punonjës të sektorit publik do të kushtojnë mbi 980 milionë euro, nga 916 milionë euro sa ishin në vitin 2025.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime arrijnë në 509 milionë euro, rreth 7 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Në buxhet janë ndarë edhe 46 milionë euro si rezervë shtetërore për emergjenca, e njëjta shumë si vitin paraprak.
Për herë të parë, projektbuxheti përfshin pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik që kanë qenë të angazhuar në organizata buxhetore për të paktën 12 muaj para marrjes së vendimit.
Të hyrat kryesore pritet të sigurohen nga Dogana e Kosovës, me mbi 2 miliardë euro, dhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me rreth 1.2 miliardë euro të planifikuara.









