Shkeljet e rregullave në trafik vazhdojnë të mbeten një nga faktorët kryesorë të aksidenteve rrugore që regjistrohen çdo ditë në vend. Për këtë arsye, institucionet e rendit po vazhdojnë me masa ndëshkuese ndaj drejtuesve që nuk respektojnë ligjin, si formë parandaluese për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Policia e Kosovës ka bërë publik raportin e saj ditor për 24 orët e fundit, i cili përfshin të dhëna mbi aksidentet në trafik, gjobat e shqiptuara dhe veprimet policore në të gjithë territorin e vendit.
Sipas këtij raporti, gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet. Megjithatë, janë regjistruar 24 aksidente me persona të lënduar, si dhe 49 aksidente që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kuadër të zbatimit të ligjit në komunikacion, policia ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 40 gjoba trafiku brenda një dite.
Po ashtu, në 24 orët e fundit janë arrestuar 18 persona. Prej tyre, 5 janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy persona janë dërguar për vuajtje të dënimit.







