Kërkesat për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e bizneseve në Prizren po shtohen vazhdimisht. Përfaqësues të komunitetit të biznesit në këtë komunë thonë se interesimi për zgjerim dhe për hapjen e vendeve të reja të punës është i madh, por mungesa e funksionalizimit të Zonës Ekonomike po e vështirëson këtë proces.
Sipas tyre, disa kompani tashmë janë vendosur në hapësirat e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP), por potenciali i plotë i kësaj zone ende nuk është shfrytëzuar.
“Në ato hapësira, ku për momentin janë në dispozicion 40 hektarë, janë vendosur disa kompani jo të fuqishme, disa OJQ, po besojmë që në ato hapësira ka ende vende të lira për shumë e shumë veprimtari prodhuese”, tha Afrim Tejeci nga Oda e Prizrenit.
Tejeci thekson se për shkak të mosfunksionalizimit të kësaj zone, një numër i konsiderueshëm kompanish kanë zgjedhur të zhvendosen në komuna të tjera, përfshirë edhe Suharekën.
“Ne jemi me vite duke pritur, shumë biznese, për fat të mirë apo për fat të keq, ne i kemi dërguar në shumë vende të tjera, qoftë edhe në Suharekë që është shumë afër, sepse kemi pasur dhjetëra e dhjetëra biznese që kanë shprehur dëshirën për të ardhur, për t’u zgjeruar, për të hapur vende pune, por për fat të keq këto kanë shkuar në qytete të tjera”, tha ai.
Nga ana tjetër, Komuna e Prizrenit ende nuk ka arritur të ofrojë një zgjidhje konkrete për sipërmarrësit lidhur me hapësirat e planifikuara për Parkun e Bizneseve. Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Adem Morina, bëri të ditur se tashmë janë ndërmarrë disa hapa fillestarë për funksionalizimin e Zonës Ekonomike.
“Pas kësaj seance do ta qesim në kuvend dhe gjithsesi do të krijohen edhe komisionet, e pastaj do të ndjekim procedurat se si të veprojmë. Jemi në komunikim edhe me KEDS-in dhe njerëz të tjerë të cilët kanë qasje për funksionalizimin e Zonës Ekonomike”, tha Morina.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës për Komunitete ka dhënë sinjale pozitive për përparimin e këtij projekti, duke theksuar se janë ndërmarrë hapa ligjorë për të mundësuar funksionalizimin e parkut të biznesit.
“Kjo Qeveri ka me mbajt fjalën, vitin e kaluar e kemi ndërruar ligjin ku përfshihet edhe Parku i Biznesit, me iniciativën e ‘Esnaf’ dhe Odës Ekonomike, tashmë jemi një hap më afër drejt funksionalizimit të tij. Për këtë arritje keni kontribuar edhe ju”, tha Fikrim Damka, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Mungesa e funksionalizimit të kësaj zone, që përfshin rreth 80 hektarë tokë, ka bërë që edhe investimet e pakta që janë realizuar deri më tani të fillojnë të degradohen.








