Një aksion policor i zhvilluar në Pejë ka përfunduar me arrestimin në flagrancë të tre personave të dyshuar për shitje të substancave narkotike. Rasti është regjistruar pasditen e së hënës dhe përfshin dy burra dhe një grua.
Sipas informacioneve zyrtare, policia ka realizuar kontrolle në disa lokacione që lidhen me të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të ndryshme që ndërlidhen me veprimtarinë e dyshuar kriminale.
“Lidhur me rastin janë kontrolluar tri lokacione të të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar 2.2 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 0.4 gram substancë narkotike e llojit kokainë, 760 €, 150 franga Zvicrrane, 100 $, 100 Kruna suedeze, dy telefona mobil, dy vetura, disa kartela bankare dhe një mulli”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Me vendim të prokurorit kompetent, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara e tretë është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt. Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.







