Federata angleze pritet t’i besojë sërish Thomas Tuchel drejtimin e përfaqësueses, me një kontratë të re që do ta mbajë në krye të “Tre Luanëve” deri në Kampionatin Evropian 2028. Lajmi është raportuar nga mediat britanike, të cilat bëjnë të ditur se marrëveshja e re do të zgjasë angazhimin e tij përtej Kupës së Botës së këtij viti.
Trajneri gjerman mori detyrën në janar 2025, ndërsa kontrata aktuale i skadon në fund të Botërorit. Sipas raportimeve, ai do të vazhdojë ta udhëheqë Anglinë edhe në Euro 2028, turne që do të organizohet nga Anglia së bashku me Uellsin, Skocinë dhe Republikën e Irlandës.
Ish-trajneri i Chelseat dhe Paris Saint-Germain ka pasur një start të fuqishëm, duke e drejtuar Anglinë drejt tetë fitoreve në tetë ndeshje gjatë kualifikueseve për Kupën e Botës.
Në Botërorin e ardhshëm, Anglia do të bëjë pjesë në një grup me Kroacinë, Ganën dhe Panamanë. Ndërkohë, Federata angleze ka njoftuar se përfaqësuesja do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në qershor, përballë Kosta Rikës dhe Zelandës së Re, si pjesë e përgatitjeve finale për turneun. Të dyja këto takime do të luhen në Florida.








