Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka dalë me një sqarim pas përhapjes së një lajmi të rremë që pretendonte se Zvicra po ofronte 85 mijë vende pune për të huajt me paga deri në 6,500 euro.
Në reagimin e saj, ambasada e ka quajtur këtë informacion si të pavërtetë dhe ka theksuar se kuotat për shtetasit e vendeve të treta, që nuk bëjnë pjesë në zonën Shengen, mbeten të pandryshuara për vitin 2026. “Kujdes nga lajmet e rreme! Kohët e fundit, mediat sociale dhe gazetat online kanë përhapur pretendime se Zvicra po hap tregun e saj të punës për 85,000 punëtorë të huaj. Këto raportime janë të rreme!”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit Federal Zviceran më 19 nëntor 2025, për vitin 2026 do të ruhet numri aktual i kuotave: maksimumi prej 8,500 punëtorësh dhe specialistësh të kualifikuar nga vendet e treta, përfshirë 4,500 leje qëndrimi (B) dhe 4,000 leje afatshkurtra (L).
Reagimi i ambasadës vjen pas disa raporteve mediatike, përfshirë edhe nga disa media në Kosovë, që pretendonin se Zvicra po planifikonte të punësonte 85 mijë persona nga jashtë, përfshirë mjekë, inxhinierë, specialistë IT dhe staf shërbimesh hoteliere, me paga të larta. Lajmet gjithashtu përmendnin një “nevojë urgjente” për staf të kualifikuar dhe sugjeronin aplikimin përmes agjencive të burimeve njerëzore si rrugë të shpejtë për punësim. /Gjurmuesi/







