Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.R., për kryerjen e veprave penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sipas aktakuzës, më 29.05.2023 nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e objektit të Komunës së Zveçanit, i pandehuri, në bashkëkryerje dhe koordinim me persona të tjerë, dyshohet se ka marrë pjesë aktive në një grup që ka ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës KFOR dhe Policisë së Kosovës.
“Gjatë këtyre veprimeve janë përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, me ç’rast janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, përfshirë tre me lëndime të rënda nga armët e zjarrit, si dhe disa zyrtarë policorë që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, tha Prokuroria në njoftimin për media.
Prokuroria tha se kjo është aktakuza e 8 lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të PK-së.














