Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përdorur figurën e letërsisë Don Kishot për të ilustruar situatën politike aktuale në Kosovë. Ai krahasoi veprimet e kryeministrit Albin Kurti me aventurat e Don Kishotit, duke theksuar se Kurti vepron në një botë të krijuar nga vetvetja.
Abdixhiku shtoi se në këtë “botë të Kurtit”, kundërshtarë imagjinarë pretendohen të synojnë kthimin e Serbisë në Kosovë, duke krijuar një realitet paralel që nuk përputhet me situatën reale politike.
Në një fjalim të mbajtur përpara deputetëve, Abdixhiku u shpreh: “Sot dua t’i drejtohem kësaj salle me një pamje shumë të thjeshtë, por ironikisht dhe fatkeqësisht shumë domethënëse për realitetin tonë politik. Atë të Don Kishotit, jo si figurë e letërsisë, por si një metaforë politike, sepse për fat të keq, shteti ynë, shoqëria jonë, Republika jonë, nuk po udhëhiqet nga arsyeja, por nga një realitet paralel që sheh vetëm një njeri në vend, Albin Kurti.”
Ai përfundoi duke theksuar se koha e “Don Kishotëve” duhet të marrë fund, duke aluduar në nevojën për një qeverisje më të bazuar në realitet dhe arsye. /Gjurmuesi/







