Një plagosje ka ndodhur dje në Prishtinë pas një sulmi me armë zjarri.
Nga vendi i ngjarjes, përkatësisht në rrugën Ali Sokoli të lagjes Bregu i Diellit, ka raportuar ekipi i Klan Kosovës, duke thënë se dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafene, ku i plagosur ka mbetur një person i cili është në gjendje të rëndë.
“Ne ndodhemi në rrugën ‘Ali Sokoli’, në lagjen Bregu i Diellit ku është plagosur një person. Siç aktualisht shihet, të gjitha ekipet policore dhe hetuesit bashkë me prokurorin kanë dalë në vendngjarje. Këtu janë qysh prej orës 21:40 prej kur ka ndodhur sulmi me armë zjarri. Pra, po kryhen të gjitha hetimet dhe ekzaminimet e mundshme brenda kafenesë ku dyshohet të jetë kryer plagosja”, ka raportuar gazetarja Diellëza Berisha në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Në bazë të informacioneve të para që ne posedojmë, plagosja është kryer brenda një kafeneje ku zyrtarët policorë po shkojmë t’i kryejnë ekzaminimet. Sipas informacioneve, është raportuar se i sulmi me armë zjarri është kryer nga dy persona që kanë ardhur të maskuar në këtë kafene dhe si pasojë e të shtënave, viktima me inicialet H.V. ka pësuar lëndime trupore, kryesisht në kokë”.
“Ne kemi tentuar të flasim edhe me qendrën emergjente në QKUK ku po trajtohet tashmë viktima, dhe është thënë se ai është në gjendje tejet të rëndë”.














