Gështenjat nuk janë thjesht një ushqim i shijshëm, por edhe një burim i pasur vlerash ushqyese që mbështesin shëndetin e përgjithshëm. Ky frut ka fituar popullaritet jo vetëm për shijen e tij të veçantë, por edhe për përfitimet e shumta që ofron, veçanërisht gjatë stinëve të ftohta kur ushqimet e ngrohta janë më të nevojshme.
Një gjysmë filxhani gështenja të freskëta mund të sigurojë deri në 45% të nevojës ditore për vitaminë C, e cila forcon sistemin imunitar dhe mbron trupin nga infeksionet. Edhe pas zierjes apo pjekjes, gështenjat ruajnë pjesën më të madhe të vitaminës C, ndërsa përfitimet antioksiduese madje rriten gjatë procesit të gatimit. Lëndët si acidi galik dhe acidi elagjik kontribuojnë në mbrojtjen e qelizave dhe luftimin e stresit oksidativ.
Përveç vlerave antioksiduese, gështenjat ofrojnë edhe përfitime të tjera për shëndetin. Ato ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të zemrës falë përmbajtjes së magnezit dhe kaliumit, të cilët kontribuojnë në uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Gjithashtu, përmbajtja e lartë e fibrës i bën ato të dobishme për tretjen, duke stimuluar punën e zorrëve dhe duke mbështetur baktere të dobishme në traktin tretës.
Një tjetër avantazh i gështenjave është ndikimi pozitiv në kontrollin e sheqerit në gjak. Fibra e tyre ndihmon në përthithjen e ngadalshme të niseshtesë, duke parandaluar rritjet e papritura të sheqerit, gjë që është e rëndësishme për personat me diabet. Për më tepër, indeksi i ulët glicemik i gështenjave (rreth 54) i bën ato një zgjedhje të sigurt për mbajtjen e nivelit të sheqerit të stabilizuar.
Duke qenë një alternativë e shëndetshme dhe e pasur me lëndë ushqyese, gështenjat janë ideale jo vetëm për t’u konsumuar si snack, por edhe për t’i shtuar në receta të ndryshme të stinës. /Gjurmuesi/









