Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunën e Klinës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në fshatin Bokshiq dhe ka mobilizuar menjëherë policinë dhe prokurorinë për hetime intensive.
Sipas informacioneve fillestare, në këtë incident dyshohet se janë përfshirë dy vëllezër, ndërsa njëri prej tyre ka përfunduar me pasoja fatale.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Fadil Gashi, i cili ka dhënë detaje për rastin.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:08, ndërsa, i plagosur është dërguar në emergjencën e Spitalit të Pejës, ku edhe ka ndërruar jetë. Në vend të ngjarjes është sekuestruar një armë, dhe tri gëzhoja, ndërsa është arrestuar një person”, deklaroi ai.
Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, bëri të ditur se viktima është rreth 50-vjeçare dhe se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë Policia e Kosovës dhe prokurori i krimeve të rënda.
“Ka ndodhur një vrasje në fshatin Bokshiq të Klinës ku si pasojë ka humbur jetën një person i moshës rreth 50-vjeçare Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia e Kosovës, njëkohësisht edhe Prokurori i Krimeve të Rënda”, ka thënë Nikçi.
“Personi i dyshuar është arrestuar, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i i viktimës do të dërgohet në IMK për obduksion”.
“Gjithashtu janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në koordinim tëp lotë me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë për t’i ndriçaur të gjitha rrethanat e kësaj çështjeje penale”.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë dalë edhe me një komunikatë të përbashkët lidhur me rastin.
“Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 15:08 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës”.
“Policia e Kosovës me të pranuar informatën menjëherë ka dalë në vend të ngjarjes dhe ka kuptuar se një person ishte i plagosur me armë zjarri”.
“Viktima është dërguar për në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, mirëpo si pasoje e plagëve të rënda viktima ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Spitali Rajonal i Pejës”.
“Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e Rëndë’”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante policore, Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda të cilët kanë sekuestruar armën e cila dyshohet që është përdorur në rast dhe prova të tjera relevante”.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtij rasti”.














