Çdo vit më 21 mars, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Poezisë, një moment që synon të rikthejë vëmendjen te rëndësia e kësaj forme artistike dhe roli i saj në kulturë dhe shoqëri. Kjo ditë shërben si një kujtesë për vlerën e gjuhës dhe krijimtarisë në jetën e përditshme.
UNESCO e shpalli këtë ditë më 21 mars 1999, gjatë Kongresit të saj të 30-të, me qëllim mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.
Caktimi i kësaj dite është bërë edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë – traditën gojore.
Në kohët antike, në Greqia e lashtë, poemat e Homeri mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike. Megjithatë, sot duket se poezia e ka humbur këtë tipar të rëndësishëm.
UNESCO synon që përmes recitaleve, takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë ura lidhëse mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika dhe piktura. Në të njëjtën kohë, kjo organizatë përpiqet të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ata dhe të krijojë një imazh më tërheqës për poetin, i cili shpesh perceptohet si jashtë trendit.
Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për reflektim mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve krijuese të çdo individi.
Po ashtu, UNESCO bën thirrje për organizimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal dhe ndërkombëtar, duke përfshirë institucione publike dhe private si shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore dhe shtëpi botuese.
Para se 21 marsi të vendosej si Dita Botërore e Poezisë, kjo festë shënohej më 15 tetor në shumë vende të botës, pasi përkonte me datëlindjen e poetit romak Virgjili. Në disa vende, kjo traditë e festimit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.














