Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rikthyer fuqishëm në fokusin e Bashkimit Europian, duke u konsideruar kyç për avancimin e të dy vendeve drejt integrimit europian. Në raportin më të fundit për zgjerimin, Parlamenti Europian ka theksuar se progresi në këtë proces varet drejtpërdrejt nga normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve.
Në dokumentin e miratuar më 11 mars, vihet në pah se përparimi i Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së nuk është i rëndësishëm vetëm për këto vende, por edhe për stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.
Sipas analistit politik Afrim Kasolli, zhvillimet e brendshme politike në Kosovë nuk duhet të bëhen pengesë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.
“Si Serbia ashtu edhe Kosova janë pajtuar në marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe po ashtu me aneksin e zbatimit të Ohrit që janë të kushtëzuara sa i përket agjendës eurointegruese, nga zbatimi i detyrimeve që kanë në procesin e dialogut. Në këtë drejtim është e qartë se Kosova mund të sillet brenda këtij rrethi vicioz ku ndodhet, mund të kalojë nga njëra krizë në tjetrën, të gjenerojë kriza për efekte të brendshme partiake që mund t’i konvenojnë partive politike, por absolutisht ajo është e bllokuar në agjendën eurointegruese, pa marrë vlerësim pozitiv nga Bashkimi Europian”, u shpreh Kasolli.
Edhe për Arbëresha Loxhën nga Grupi për Studime Juridike e Politike, përmbajtja e raportit nuk ka sjellë ndonjë surprizë.
“Sa i përket raporti që Parlamenti Europian miratoi dje natyrisht ishte e pritshme raporti të theksojë domosdoshmërinë e rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu u theksua domosdoshmëria e implementimit të marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj me theks të veçantë dhe realisht krijimi i Asociacionit, si kërkesë e cila vazhdimisht theksohet nga BE”, u shpreh Loxha.
Ajo shton se raporti përfshin edhe kritika ndaj Serbisë, duke kërkuar që ajo të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të respektojë marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkohë, sipas Kasollit, dialogu është një nga faktorët që ka ndikuar në përkeqësimin e raporteve mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Njëra prej arsyeve të fërkimeve mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit është kur presidentja Osmani pikërisht duke marrë rolin sabotues të Serbisë në këtë drejtim, kishte mbajtur një qëndrim pak a shumë të ngjashëm edhe me thirrjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova të gjej rrugën që së bashku me partnerët ndërkombëtar, pavarësisht sjelljeve të Serbisë t’i zbatoj detyrimet që i ka marrë në procesin e negociatave në Bruksel në mënyrë që ajo ta debllokojë veten në procesin ndërkombëtar”, tha Kasolli.
Në anën tjetër, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, në draft-raport e ka cilësuar vitin 2025 si një vit të humbur për vendin, duke theksuar se procesi i dialogut ka qenë pothuajse i pezulluar.
Si arsye kryesore për këtë situatë përmendet kriza politike në Kosovë, si dhe mungesa e një qeverie me mandat të plotë për të zhvilluar negociata efektive.














