Panairi i Librit në Leipzig të Gjermanisë ka hapur dyert, duke mbledhur autorë, botues dhe lexues nga vende të ndryshme të botës. Edhe këtë vit, Kosova është pjesë e këtij eventi të rëndësishëm kulturor, duke vijuar traditën e pjesëmarrjes ndërkombëtare.
Për të pestin vit me radhë, vendi ynë përfaqësohet nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ndërsa në stendën e saj është vërejtur një interesim i shtuar nga vizitorët. Gjatë panairit prezantohen gjashtë autorë nga letërsia bashkëkohore shqipe.
Kosova sivjet përfaqësohet nga autorë të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe në dy panele: i pari, që mbahet sot, trajton raportin mes letërsisë dhe politikës në rajon, me Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi. Ndërsa në panelin e dytë, që mbahet nesër, diskutohet për letërsinë e një populli të vogël në kontekstin e letërsisë botërore, me Arbër Selmani, Eli Krasniqi dhe Meliza Krasniqi.














