Dëshira për ushqime si patatet e skuqura, kokoshkat apo hamburgerët mund të mos jetë thjesht çështje shijeje, por një proces i thellë që lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e trurit. Një studim i fundit ka hedhur dritë mbi mënyrën se si organizmi ynë reagon ndaj nevojës për kripë.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën “Nature”, shkencëtarët nga Instituti Kalifornian i Teknologjisë (Caltech) kanë arritur të identifikojnë qarqet nervore që aktivizohen dhe nxisin dëshirën për ushqime të kripura.
Eksperimenti është zhvilluar tek minjtë laboratorikë, duke përdorur shënues gjenetikë që mundësojnë vëzhgimin e aktivitetit të grupeve të caktuara të qelizave përmes stimujve të dritës.
Studiuesit, të udhëhequr nga Yuki Oka, theksojnë se ky zbulim mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të mënyrës se si trupi i njeriut kontrollon nevojën për natrium, një element thelbësor për funksionimin e organizmit.
“Kjo, pasi ai është i përfshirë në aktivitetin kardiovaskular dhe transmetimin e impulseve nervore”, shpjegon Oka.
Megjithatë, sipas studiuesve, natriumi nuk prodhohet nga trupi, prandaj duhet të merret përmes ushqimit. Kur niveli i tij bie, truri aktivizon mekanizma të veçantë që rrisin oreksin për ushqime të kripura.
“Ne kemi identifikuar një ‘popullatë’ të qelizave të trurit tek minjtë që shërben pikërisht për të kënaqur këtë nevojë për natrium në trup dhe për të rregulluar nivelet e konsumit të tij”, theksoi Oka.














