Pas prezantimit të parë të dizajnit për modelet Enjoy 90 Pro Max dhe Enjoy 90 Plus, Huawei ka bërë të ditur edhe datën zyrtare të lansimit për këtë seri të re telefonash.
Kompania ka konfirmuar përmes postimeve në Weibo se seria Enjoy 90 do të prezantohet në Kinë më 23 mars, në kuadër të eventit pranveror të lansimit të produkteve.
Modeli Enjoy 90 Pro Max pritet të vijë me korniza të holla të ekranit dhe një prerje në formë vrime për kamerën selfie. Po ashtu, sipas posterit zyrtar, telefoni do të ketë një modul rrethor të kamerës në pjesën e pasme, i cili përfshin sensorë të dyfishtë.
Nga ana tjetër, Enjoy 90 Plus duket se do të ketë korniza më të trasha në pjesën e përparme dhe një buton shtesë në anën e majtë, i ngjashëm me “butonin e veprimit”.
Të dy modelet do të funksionojnë me sistemin HarmonyOS dhe pritet të pajisen me bateri me kapacitet të madh. Gjithashtu, ekziston mundësia që këta telefona të përdorin një çipset Kirin të serisë 8.














