Në zonën e quajtur Kodra e Pusit, pranë fshatit Murizë në Peqin, kanë nisur gërmime arkeologjike shpëtimi që po zhvillohen nga arkeologët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë. Punimet synojnë të evidentojnë dhe të dokumentojnë vlerat historike të kësaj zone.
Pamje nga aktiviteti në terren janë publikuar edhe nga ministri Blendi Gonxhja në rrjetin social Facebook, ku shihen ekipet e arkeologëve duke zhvilluar gërmimet.
Sipas të dhënave nga hulumtimet e deritanishme, gjatë gërmimeve janë zbuluar gjurmë të një vendbanimi me rëndësi, i cili daton nga periudha romake deri në antikitetin e vonë.
Punimet dhe kërkimet arkeologjike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që të pasurohen njohuritë për historinë dhe zhvillimin e kësaj zone.








