Pas gjysmë shekulli mungese, dy libra të vjetër të një biblioteke në Angli janë rikthyer në mënyrë krejt të papritur. Librat, të cilët nuk ishin kthyer që nga vitet ’70, u gjetën rastësisht në një dyqan të dorës së dytë disa dhjetëra milje larg vendit nga ku ishin marrë.
Autoritetet lokale të Leeds njoftuan se Biblioteka Qendrore e qytetit u kontaktua së fundmi nga punonjësit e një dyqani të dorës së dytë në Beverley, në East Yorkshire.
Punonjësit e dyqanit i informuan bibliotekarët se dy libra – Vëllimet I dhe II të “Gjeologjisë dhe Mineralogjisë” të Reverend William Buckland – ishin shfaqur mes donacioneve të dhëna për dyqanin.
Këto vëllime referuese janë shkruar në vitin 1836 dhe ishin huazuar nga biblioteka rreth 50 vjet më parë, me një datë kthimi të shënuar në mars të vitit 1976.
“Ishte një surprizë e madhe të zbulonim se këta libra të bukur kishin dalë disi në një vend kaq të papritur pas gjithë këtyre viteve dhe jemi të kënaqur që i kemi përsëri në shtëpi në bibliotekë, edhe nëse janë gjysmë shekulli me vonesë”, tha Sally Hughes, bibliotekare në Bibliotekën Qendrore të Leeds, në njoftimin për shtyp.
“Nuk do ta dimë kurrë se kush i huazoi dhe pse, por kjo flet shumë për sa interesante dhe me ndikim ishin vëzhgimet e Rev Buckland, që entuziastët ishin qartësisht ende të etur t’i lexonin ato më shumë se një shekull pasi ishin shkruar”, tha ajo.









