Pas vërshimeve të fundit që goditën komunën e Drenasit, është ndërmarrë një aksion humanitar për t’u dalë në ndihmë familjeve të prekura. Mbështetja është realizuar nga dega e Kryqit të Kuq në Drenas, në koordinim me Zyrën Qendrore.
Në kuadër të reagimit emergjent, 44 familje janë furnizuar me ujë të pijshëm, pako higjienike dhe kuponë për pako ushqimore. Ndërkohë, 10 familje të tjera kanë përfituar kuponë për materiale ndërtimore, me synim lehtësimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e tyre.
Nga Kryqi i Kuq i Kosovës kanë bërë të ditur se qëllimi i këtij aktiviteti ishte ofrimi i ndihmës së menjëhershme dhe sigurimi i mbështetjes së vazhdueshme për familjet e prekura nga përmbytjet.
Një falënderim i veçantë i është drejtuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Drenasit për bashkëpunimin dhe koordinimin institucional gjatë realizimit të aksionit.
Kryqi i Kuq i Kosovës thekson se do të vazhdojë të qëndrojë pranë familjeve në nevojë, duke promovuar solidaritetin, humanizmin dhe reagimin e shpejtë në situata emergjente.







