Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Kongresit, duke vënë theksin te avancimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe temat e sigurisë.
Kreshnik Ahmeti zhvilloi takime të ndara në Washington, D.C. me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Ritchie Torres.
Në këto takime, u diskutua për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Po ashtu, siç thekson Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në njoftimin për media, “u theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të ShBA-së për njohje të reja ndërkombëtare për Republikën e Kosovës dhe për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe mbështetja e ofruar përmes Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për të cilin Ahmeti shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në avancimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithashtu, u diskutua situata e shqiptarëve në Lugina e Preshevës, duke theksuar nevojën për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve të tyre dhe për një vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj gjendjes së tyre.







