Sektori i minierave në Kosovë po përballet me bllokada serioze institucionale, të cilat sipas komunitetit të biznesit po ndikojnë drejtpërdrejt në investime dhe zhvillim ekonomik. Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka reaguar publikisht, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e funksionalitetit të institucioneve kyçe në këtë fushë.
Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen në sektorin e minierave, duke kërkuar masa urgjente për rikthimin e funksionalitetit të Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Sipas Odës, që nga viti 2020 KPMM-ja është përballur me probleme të vazhdueshme operacionale, herë me Bord të Drejtorëve e herë pa të, duke qenë shpesh jofunksionale. Kjo situatë ka krijuar sfida serioze për industrinë minerare, ka penguar funksionimin normal të sektorit dhe ka dëmtuar reputacionin e institucionit si një nga më kredibilët në vend. Si pasojë, është zbehur edhe interesi i kompanive ndërkombëtare për investime në Kosovë.
Nga 316 aplikime të dorëzuara, bordi i fundit – i emëruar në maj 2024 – ka lëshuar vetëm 60 licenca, që përbën më pak se 20% të aplikacioneve. Të gjitha licencat e miratuara kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar aplikimet e lidhura me Trepçën. Koha e pritjes për vendime ka arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është tre muaj, me mundësi shtesë prej dy muajsh në raste të veçanta kur kërkohen informacione shtesë, maksimumi pesë muaj gjithsejtë.
Për krahasim, në vitin 2020 KPMM menaxhonte 854 licenca. Vetëm në periudhën janar–gusht 2020 janë lëshuar 167 licenca për shtatë muaj. Ndërsa gjatë mandatit të fundit dyvjeçar janë lëshuar vetëm 60 licenca, me rreth 160 licenca aktualisht nën menaxhim. Këto të dhëna, sipas Odës, janë marrë nga faqja zyrtare e KPMM-së.
Një tjetër shqetësim i ngritur është fakti se KPMM-ja nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020.
Po ashtu është evidentuar trajtim jo i barabartë i kompanive private krahasuar me ato shtetërore, si Trepça apo KEK-u, duke theksuar se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjitha palët, pavarësisht pronësisë.
Mungesa e licencimit për gurthyesit dhe komplikimet e krijuara pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pronë Publike kanë sjellë pasoja konkrete në treg. Kosova është detyruar të importojë në sasi të mëdha rërë dhe zhavorr nga shtete fqinje, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve për rërë, zhavorr, beton dhe materiale të tjera ndërtimore.
Oda rikujton se Kosova dikur konsiderohej me legjislacionin më të avancuar minerar në Evropë, të bazuar në praktikat më të mira të Australisë, përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”, i njohur si “e drejta e të parit”. Megjithatë, moszbatimi i sundimit të ligjit, përfshirë mosrespektimin e afatit 3+2 muaj për shqyrtimin e aplikimeve, ka ulur kredibilitetin institucional dhe ka zvogëluar interesin e investitorëve për eksplorim në Kosovë.
Edhe pse vendi mbetet territor atraktiv për eksplorime minerare, rrezikon të humbasë investitorët ndërkombëtarë dhe zhvillimin serioz në fushën e hulumtimeve minerale. Sipas statistikave të përmendura, vetëm 0.01% e projekteve të hulumtimeve përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri në 30 vite pune intensive, çka nënkupton se investitorët seriozë kërkojnë stabilitet të qëndrueshëm juridik dhe institucional.
Në këtë kontekst, BCCK-ja kërkon:
– Trajtimin e përshpejtuar të të gjitha aplikacioneve të mbetura;
– Zbatim të plotë të ligjit, duke siguruar që KPMM-ja të përgjigjet brenda afatit ligjor prej tre muajsh, dhe jo më vonë se pesë muaj në raste specifike;
– Hartimin dhe miratimin e një Strategjie të re Minerare të Kosovës, pasi ajo e mëparshmja ka skaduar në vitin 2025;
– Plotësimin urgjent të Bordit të KPMM-së për të rikthyer funksionalitetin dhe kapacitetin e plotë operacional.









