Pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku, Kurti bëri të ditur se biseda përfshiu çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Kryeministri theksoi se nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një emër të veçantë për president. “Patëm një bisedë të gjatë, për shumë tema, me kryetarin e LDK-së. Diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë, situatën e sigurisë, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai shtoi: “Diskutuam edhe për progresin që kemi arritur, por diskutuam edhe për sfidat që na presin. E uruam njëri-tjetrin në detyrat dhe funksionet që kemi dhe u zotuam për komunikim. E falënderova edhe për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.
Më tej, Kurti deklaroi: “Tash e kemi edhe një sfidë; në njërën anë ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një emër të përveçëm, pra LVV nuk e ka një anëtar me librezë partie që synon të bëhet president”.







