Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile buxhetit për vitin 2026, pas votimit në seancën plenare të mbajtur sot.
Projektligji u miratua me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim.
Gjatë shqyrtimit janë paraqitur gjithsej 86 amendamente. Prej tyre, 32 u tërhoqën me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa vetëm gjashtë amendamente arritën të marrin mbështetjen e nevojshme për t’u përfshirë në buxhet.
Partitë opozitare votuan kundër, duke argumentuar se propozimet e tyre nuk u reflektuan në dokumentin final.
Buxheti për vitin 2026 është planifikuar në vlerë prej 4 miliardë eurosh. Nga kjo shumë, 3.64 miliardë euro pritet të sigurohen nga të hyrat, ndërsa pjesa e mbetur do të mbulohet përmes kredive dhe deficitit buxhetor.









