Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani mori ftesë nga presidenti amerikan Donald Trump për të qenë pjesë e këtij takimi dhe e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës si anëtare dhe bashkëthemeluese e Bordit si një nga arritjet më të rëndësishme në politikën e jashtme të vendit vitet e fundit. Ajo theksoi se ky hap forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, citohet të ketë thënë Osmani.
Ky do të jetë takimi i parë i Bordit të Paqes që prej ceremonisë së themelimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar, ku tashmë kanë nënshkruar rreth 20 shtete, përfshirë Kosovën.
Megjithatë, Bordi i Paqes ka marrë kritika lidhur me mandatet e tij dhe dyshimet nëse mund të zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Shumica e vendeve të BE-së nuk kanë pranuar të jenë pjesë, ndërsa Izraeli nuk e ka nënshkruar ende anëtarësimin.
Ky organ i ri ndërkombëtar, i iniciuar nga Trumpi, synon të mbikëqyrë zbatimin e planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës. Sipas planit të tij për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor” për të mbikëqyrur rindërtimin e enklavës palestineze, me udhëheqës botërorë dhe presidentin Trump në krye.







