Në fund të muajit shkurt pritet të rihapet për publikun Muzeu Dioqezan i Shkodrës, duke rikthyer në vëmendje trashëgiminë e pasur historike dhe shpirtërore të besimit kristian në qytet. Ky institucion kulturor vlerësohet si unik në vend për përmbajtjen dhe konceptin e tij bashkëkohor.
Muzeu përfshin rreth 700 objekte, të cilat pasqyrojnë historinë, sakrificat dhe qëndresën e klerit katolik ndër vite, me theks të veçantë në periudhën e diktaturës komuniste.
“Pas një periudhe u rihap Muzeu Dioqezan. Ky muze u formua 10 vite më parë dhe është shumë bashkohor”, u shpreh studiuesi Gjovalin Çuni.
Objektet e ekspozuara janë dhuruar në mënyrë vullnetare nga familje shkodrane, të cilat i kanë ruajtur ndër vite si pjesë të trashëgimisë së tyre historike dhe shpirtërore.
“Rihapja e këtij muzeu nuk është thjesht një pasurim për Shkodrën por për të gjithë Shqipërinë”, tha ai.
Muzeu Dioqezan do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 09:00 deri në 17:00, duke shtuar një tjetër pikë të rëndësishme kulturore në kryeqendrën e veriut.









