Shërbimi i transportit publik në kryeqytet nuk do të ndërpritet. Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” ka bërë të ditur se greva e paralajmëruar nga punëtorët nuk do të mbahet dhe se qarkullimi i autobusëve do të vazhdojë sipas orarit të rregullt.
Punëtorët kishin paralajmëruar nisjen e grevës nga 13 shkurti, për shkak të mosrealizimit të premtimit për rritjen e pagave. Megjithatë, sipas një njoftimi të publikuar të enjten (12 shkurt) në Facebook, menaxhmenti i ndërmarrjes, në bashkëpunim me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm, ka arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës.
Sa i përket kërkesave për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, “Trafiku Urban” ka theksuar se mbetet i përkushtuar që, në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve.
Menaxhmenti dhe sindikata janë pajtuar që diskutimet e detajuara për realizimin e kërkesave të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Në njoftim thuhet se kërkesat do të mbeten në shqyrtim aktiv dhe se, sapo të përmirësohet gjendja financiare e ndërmarrjes dhe të sigurohen të ardhura të mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm, ato do të trajtohen me prioritet, në bashkëpunim me sindikatën dhe organet kompetente.
Ndërkaq, kujtojmë se për nëntë ditë vitin e kaluar “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë kishin ndërprerë shërbimet për shkak të borxheve të pashlyera nga Komuna. Zgjidhja ishte arritur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve, pas të cilit nisi alokimi nga Ministria e Financave. Puna e transportuesve kishte rifilluar më 3 dhjetor.







