Një iniciativë online ka marrë hov ditët e fundit, duke synuar që plisi shqiptar të fitojë njohje zyrtare nga UNESCO si pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Përmes këtij peticioni, organizatorët kërkojnë që ky simbol tradicional të marrë vlerësimin ndërkombëtar që, sipas tyre, i takon prej kohësh.
Sipas nismëtarëve, përfshirja e plisit në listën e UNESCO-s do të ndikonte drejtpërdrejt në ruajtjen dhe transmetimin e kësaj trashëgimie tek brezat e rinj, por edhe në promovimin e vlerave shqiptare në nivel global. Ata theksojnë se mbështetja sa më e madhe publike është thelbësore për ta forcuar kërkesën drejtuar UNESCO-s.
Peticioni u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen me nënshkrimin e tyre, në mënyrë që kërkesa për njohjen e plisit nga UNESCO-ja të marrë mbështetje sa më të gjerë dhe të kontribuojë në mbrojtjen e kësaj trashëgimie për shqiptarët dhe për komunitetin global.
Plisi është mbajtur nga shqiptarët për shekuj me radhë dhe mbart një rëndësi të madhe kulturore për ne. Ai mishëron traditat tona dhe lidh çdo brez të ri me paraardhësit e tyre, duke forcuar më tej unitetin dhe krenarinë tonë kombëtare. Në një epokë ku globalizimi shpesh i lë në hije identitetet unike kulturore, është thelbësore që të ndërmarrim hapa për të ruajtur dhe promovuar simbolet tona.









