Gjykata Themelore në Prizren ka zhvilluar katër seanca dëgjimore gjatë datave 10 dhe 11 shkurt, lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve për veprën penale “falsifikimi i rezultateve të votimit”. Pas shqyrtimit të kërkesave, gjykata ka marrë vendime të ndryshme për rastet që lidhen me Komunën e Dragashit dhe atë të Suharekës.
Sa i përket dy rasteve nga Komuna e Dragashit, ku përfshihen nëntë (9) të pandehur, më 10 shkurt është vendosur si në vijim:
Ndaj tre të pandehurve L.A., B.B., dhe S.S., secili veç e veç i dyshuar për veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit, është refuzuar si e pabazuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, dhe të pandehurit janë liruar të mbrohen në procedurë të rregullt.
Po ashtu, më 10 shkurt, për gjashtë të pandehurit A.K., M.R., E.R., A.Q., A.T., dhe R.Sh., është refuzuar kërkesa e Prokurorisë së Shtetit për paraburgim, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 09.03.2026.
Ndërkohë, për dy raste të tjera nga Komuna e Suharekës, që përfshijnë nëntëmbëdhjetë (19) të pandehur, më 11 shkurt 2026 janë pranuar dy kërkesa për paraburgim për secilin veç e veç për veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit.
Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, më 11 shkurt 2026 janë mbajtur dy seanca gjyqësore, të cilat kanë nisur në ora 18:30 dhe kanë përfunduar në ora 22:00.
Gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vendosur që ndaj dhjetë (10) të pandehurve A.Z., B.Z., B.V., E.M., F.K., G.R., Y.Z., L.F., M.H., dhe B.D., të refuzohet kërkesa e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, dhe të njëjtit janë liruar të mbrohen në procedurë të rregullt më 11 shkurt.
Ndaj nëntë (9) të pandehurve H.S., Sh.K., H.G., G.K., F.G., J.D., F.V., J.G., dhe B.K., është refuzuar po ashtu kërkesa për paraburgim, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak.







