Pas një procesi që zgjati rreth pesë orë, Kuvendi i Kosovës ka votuar Albulena Haxhiun në krye të institucionit ligjvënës me 66 vota për. Me këtë vendim përmbyllet një periudhë e gjatë bllokade politike, pasi gjatë vitit 2025 ajo nuk kishte arritur të zgjidhej kryeparlamentare, pavarësisht disa tentativave.
Në mbrëmje u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme, në të cilën deputetët miratuan Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke shënuar fillimin e mandatit “Kurti 3”. Ekzekutivi mori 66 vota për, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
Para votimit, kryeministri Kurti prezantoi ekspozenë e tij, ku përmendi arritjet e mandatit të kaluar në ekonomi, politikat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm. Ai u ndal edhe te proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se kërkesat e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim me të vërtetën e luftës çlirimtare.
Qeveria e re do të përbëhet nga 20 ministri, krahasuar me 16 sa ishin më parë. Janë krijuar Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare si dhe Ministria e Administratës Publike dhe e Digjitalizimit. Po ashtu, Ministria e Sportit dhe Rinisë është ndarë nga ajo e Kulturës, ndërsa janë ndarë edhe Ministria e Infrastrukturës nga ajo e Tregtisë dhe Transportit.
Kabineti i propozuar nga Kurti përfshin 20 ministra dhe zëvendësministra. Në përbërje janë Glauk Konjufca si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Hekuran Murati në Financë, Arben Vitia në Shëndetësi, Hajrulla Çeku në Arsim dhe Shkencë, ndër të tjerë.
Pas votimit dhe betimit të kryeministrit, urime dhe mbështetje për qeverinë e re kanë shprehur presidentja Vjosa Osmani, përfaqësues diplomatikë ndërkombëtarë si dhe partnerë nga Shqipëria dhe vendet evropiane, duke shënuar nisjen e mandatit të ri qeverisës në Kosovë.







