Një operacion i gjerë policor në Holandë ka çuar në arrestimin e 15 personave të dyshuar për përhapje të propagandës së Shtetit Islamik përmes rrjetit social TikTok dhe për përpjekje për të nxitur të tjerët të kryejnë sulme terroriste.
Sipas prokurorëve holandezë, hetimet nisën pas identifikimit të një llogarie në TikTok që publikonte përmbajtje propagandistike për Shtetin Islamik me titra në gjuhën holandeze.
Postimet në TikTok, disa prej të cilave me më shumë se 100,000 shikime, i inkurajuan njerëzit të bashkoheshin me Shtetin Islamik dhe lavdëruan atë që do të thotë të jesh martir për grupin e dhunshëm islamik, sipas prokurorëve.
Nga të arrestuarit, trembëdhjetë janë shtetas sirianë, ndërsa katër kanë shtetësi holandeze, çka lë të kuptohet se disa prej tyre mund të kenë shtetësi të dyfishtë. Katër prej të dyshuarve janë të mitur.
Personat e ndaluar, të moshës nga 16 deri në 53 vjeç, u vendosën në paraburgim pas bastisjeve të zhvilluara në pjesë të ndryshme të vendit. Operacioni pasoi arrestimin, muajin e kaluar, të një burri që konsiderohet nga prokurorët si i dyshuari kryesor i rastit.
TikTok-u është në pronësi të kompanisë kineze “Bytedance”.








