Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë përdorues dhe adhurues të teknologjisë kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e inovacionit te telefonat inteligjentë, të cilët shpesh dallojnë vetëm në madhësi apo specifika teknike, por jo në funksion.
Edhe pse kjo qasje i plotëson nevojat e shumicës së konsumatorëve, ka figura të njohura të industrisë që synojnë të ndryshojnë këtë realitet. Një prej tyre është edhe Elon Musk.
Sipas tre burimeve të ndara të cituara nga Reuters, kompania SpaceX është duke punuar në zhvillimin e një pajisjeje të vet mobile.
Qëllimi i këtij projekti është krijimi i një pajisjeje që do të lidhet drejtpërdrejt me konstelacionin satelitor të internetit Starlink, me synimin për të sfiduar konceptin aktual të telefonave inteligjentë.
Ende nuk ka informacione konkrete për dizajnin apo funksionalitetin e pajisjes. Megjithatë, shefi ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk, ka mohuar raportimet fillestare se bëhet fjalë për një telefon inteligjent.
“Ne nuk po zhvillojmë një telefon”, tha Musk.
Megjithatë, ai nuk e mohoi se një pajisje është në zhvillim e sipër.








