Një tjetër rast arrestimi i një shtetasi të Kosovës është raportuar gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e qytetarëve që udhëtojnë përmes këtij shteti.
Bëhet fjalë për Mit’hat Lozhanin, shtetas i Kosovës, i cili është ndaluar dhe arrestuar nga policia serbe gjatë transitit. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, përmes një reagimi publik.
“Sot, rreth orës 11:00, gjatë kalimit transit nëpër Serbi, u ndalua dhe u arrestua nga policia serbe shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani.
Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen.”
Avokati Koci ka theksuar se rasti duhet të trajtohet me seriozitet të lartë institucional, duke kërkuar reagim të drejtpërdrejtë nga autoritetet e Kosovës.
“Shteti i Kosovës ka obligim ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Deri atëherë, diplomacia jonë duhet të reagojë fuqishëm, pa përjashtuar masa konkrete politike, përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.
Në reagimin e tij, ai ka shtuar se po angazhohet maksimalisht në mbrojtjen ligjore të klientit të tij, por ka theksuar se përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm individuale.
“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, ka shkruar ai.







