Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar në një gazetë gjermane, i cili ngre pretendime për ambicie politike të presidentes Vjosa Osmani lidhur me sigurimin e një mandati të dytë.
Në shkrimin e publikuar sot, me autor gazetarin Michael Martens, pretendohet se presidentja Osmani po synon rizgjedhjen përmes, siç thuhet, “afërsisë demonstrative” me familjen e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Artikulli përmend gjithashtu përfshirjen e Kosovës në nismën globale të Trumpit të quajtur “Bordi i Paqes”, duke sugjeruar se ky veprim është ndërmarrë pa konsultim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, ka reaguar duke i hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si shpifëse dhe të rrezikshme.
“Shpifja dhe fyerja, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e provueshme si të rreme nga Michael Martens (i njohur edhe si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman,” ka shkruar Nuhiu.
Ai ka bërë të ditur se presidentja Osmani tashmë është në konsultime me avokatë në Gjermani për të ndjekur rrugët ligjore.
“Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformatave. Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve juridike për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe të vendit që ajo drejton,” thuhet më tej në reagim.
Në artikullin në fjalë, Martens shkruan se Osmani po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, me synimin për të siguruar mbështetje për një mandat të dytë, duke pretenduar se ajo nuk gëzon përkrahje të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.
Sipas raportimit, presidentja nuk do ta kishte shumicën parlamentare të nevojshme për rizgjedhje dhe, për këtë arsye, po tenton të kompensojë mungesën e mbështetjes së brendshme përmes ndikimit ndërkombëtar, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Si zëvendësim për mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’,” citohet të ketë thënë një burim i paidentifikuar në Prishtinë.
Artikulli pretendon gjithashtu se afrimi i supozuar i Osmanit me rrethin e Trumpit nuk është realizuar përmes institucioneve të Kosovës, por përmes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të lidhjeve të tij me familjen Trump, konkretisht me dhëndrin e ish-presidentit amerikan, Jared Kushner.
Sipas gazetës gjermane, ky kalkulim politik i presidentes Osmani “mund të dështojë”.







