Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë një ndeshjeje në Australian Open, ku atmosfera e zakonshme e qetë e tenisitt u thye nga të qarat e një bebeje në tribuna.
Ndeshja mes dy tenistëve italianë, Jannik Sinner dhe Luciano Darderi, u ndërpre për disa çaste në Melbourne, pasi një bebe filloi të qante me zë të lartë në Margaret Court Arena.
Teksa Darderi po përgatitej për të kryer shërbimin, britmat e bebes e shpërqendruan atë, duke e bërë të ndërpresë disa herë rutinën e zakonshme të përgatitjes. Ai tentoi të përqendrohej duke goditur topin në tokë dhe duke e hedhur lart për shërbim, por të qarat e vazhdueshme e detyruan të ndalonte, duke u shfaqur i habitur nga situata.
Ky episod shkaktoi reagime pozitive në tribuna, ku publiku shpërtheu në të qeshura dhe duartrokitje, duke e kthyer ndërprerjen e shkurtër në një moment argëtues për të pranishmit.









